Komuna e Pejës kontraktoi punë pa pasur para të mjaftueshme
Zyra Kombëtare e Auditimit [ZKA], ka gjetur raste kur Komuna e Pejës përgjatë vitit 2023, kishte iniciuar e kontraktuar projekte pa i pasur paratë e mjaftueshme për to.
“Gjatë testimeve, kemi vërejtur se në shtatë (7) raste, Komuna kishte hyrë në obligime kontraktuale pa fonde të mjaftueshme ”- thuhet në raportin e ZKA-së.
Tenderët për të cilët auditori konstatoi që u kontraktuan pa fonde të mjaftueshme janë: “Ndërtimi i ujësjellësit për fshatrat e Lugut të Baranit, me vlerë të kontratës prej 1,377,859€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 200,000€”; LOT 1 ‘’Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës “Varri i Sykut – Bellopaq” me vlerë të kontratës prej 918,214€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 50,000; Kubëzimi i trotuareve dhe rregullimi i hapësirave në Treboviq, Katund i Ri dhe Bllagaj me vlerë të kontratës prej 356,794€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 140,000; Sanimi dhe rregullimi i infrastrukturës rrugore, murit të kanalit atmosferik, kanalizimit dhe ujësjellësit në rrugën “Azem Bejta’’ lagjja Asllan Qeshme në Pejë me vlerë të kontratës prej 268,000€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 100,000; ’’Ndërtimi i palestrës në Zahaq’’ me vlerë të kontratës prej 855,855€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 100,000; ’’Ndërtimi i pendës në fshatin Vranoc’’ me vlerë të kontratës prej 315,711, deri sa zotimi i mjeteve ishte 100,000, si dhe ‘’Rregullimi i Segmentit të rrugës dhe mureve mbrojtëse në fshatin Novoselë’’ me vlerë të kontratës prej 64,721, deri sa zotimi i mjeteve ishte 3,452.
Raporti tregon se kjo kishte ndodh për shkak të mungesës së kontrolleve me rastin e inicimit të procedurave të prokurimit pa pasur zotim të mjeteve.
Sipas ZKA, hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme, ndikon në rritjen e obligimeve të papaguara, apo implikime buxhetore për vitin aktual, si dhe ngarkesë për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Kreut të komunës ju rekomandua të forcoj kontrollet dhe të siguroj që para inicimit të çdo projekt kapital të ketë fonde të mjaftueshme.
“Kryetari duhet të forcojë kontrollet gjatë vlerësimit të projekteve, duke siguruar që para inicimit të procedurave të prokurimit për çdo projekt kapital të ketë fonde të mjaftueshme për realizimin e projekteve”- rekomandon raporti.
Gjetjet ZKA i bazon në nenin 36, paragrafi 1 të Ligjit nr. 03/L-221 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/l-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i cili përcakton se para inicimit të një procesi të prokurimit i cili ka për qëllim të rezultojë në ngritjen e një obligimi në vitin fiskal, Organizata Buxhetore i regjistron të gjitha zotimet e fondeve të ndara në Sistemin Informativ për Menaxhimin Financiar në Kosovë në përputhje me rregullat.
Nga Komuna e Pejës janë pajtuar me gjetjet ZKA-së të përfshira në aport.
Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 14.06.2024 nga Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri drejtuar ZKA-së, konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit “Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Pejës për vitin 2023”.