Ndertesa e Komunes se Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Komuna e Pejës bleu pesë xhipa të vegjël në vlerë 82 mijë euro

Komuna e Pejës ka blerë pesë xhipa të vegjël për Administratën komunale në vlerë prej 82,450 eurove.

Më 26 tetor është nënshkruar kontrata me kompaninë fituese “Auto Mita”, e cila ka qenë e vetmja kompani ofertuese në këtë tender të shpallur nga Komuna e Pejës.

Në mes të kërkesave të këtij tenderi është që këto vetura të jenë prodhim i vitit 2020-2021, të papërdorura, me 0 kilometra të kaluara. Gjithashtu të jenë automjete sportive (SUV) 2×4 apo 4×4, me kapacitet minimumi pesë ulëse.

Lloji i procedurës që ka përdorur komuna në këtë tender është e hapur, me kriter për dhënie të kontratës me çmim të ulët.

Vlera e parashikuar për tenderin e ndarë në dy pjesë ishte 123,750 euro.

Por, pjesa e dytë e këtij tenderi, ku ishte planifikuar të bliheshin dy autokombi për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare është anuluar për shkak se nuk kishte asnjë kompani ofertuese.

Ky tender është inicuar më 22 korrik të këtij viti.