Ndertesa e Komunes se Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Komuna e Pejës ankohet se IKShPK po i vonon rezultatet e COVID-19 deri në 6 ditë

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë përmes një publikimi në Facebook është ankuar se rezultatet e të testuarve nuk po i pranon deri në 6 ditë.

Sipas drejtorisë, ky komunikim i rezultateve po krijon panik për identifikimin e personave të dyshimtë ose të prekur.

Komuna e Pejës ka ftuar IKSHPK të ndërrojë mënyrën e kumtimit të rezultateve duke i treguar ato menjëherë në momentin që kryhen testimet.

Publikimi i plotë i Drejtorisë:

Me gjithë respektin për punën e drejtuesve, specialistëve dhe stafit të IKSHPK-së në Prishtinë është e pakuptueshme, vonesa e kumtimit të rezultateve Pozitive apo Negative, nga mostrat e marra të pacientëve.

Vonesa si këto, çdo orë dhe çdo ditë po e rëndojnë sistemin shëndetësorë, edhe ashtu të ngarkuar në komunën dhe rajonin e Pejës.

Të njejtat vonesa po krijojnë panikë të madhe tek qytetarët duke lënë mundësi të mëdha për përhapje të panikut, në identifikim të personave të dyshimtë apo të prekur.

Mostrat që dërgohen nga Komuna e Pejës, fatkeqësisht ndodhë që të vonojnë deri në 5 apo 6 ditë. Kjo i bie që, pikërisht në periudhën kur pacienti duhet të ndodhet në trajtim, të mos ketë rezultat dhe ç’farë është më e keqja, në kohën kur pacienti edhe mund të jetë i shëruar ose në rastin më të rëndë kur mund të ketë ndëruar jetë të njejtit zyrtarisht i komunikohet rezultati Pozitiv.

Kjo dukuri, përpos që e ngarkon sistemin, e ngarkon dhe dëmton pa masë edhe popullatën dhe lë mundësi paragjykimesh.

Ftojmë IKSHPK-në të merr masa të menjhëhershme në përmirësimin e këtij kursi në raport me komunën tonë, në mënyrë që ti kthehemi mbarëvajtjes së funksionimit.