Foto: Ilustrim

Komuna e Mitrovicës së Jugut subvencionoi fermerë që nuk dëshmuan se kanë tokë e traktorë

Fermerët në Komunën e Mitrovicës së Jugut, u subvencionuan nga komuna në kundërshtim me thirrjen e shpallur për subvencionim. Përfituesit nuk kishin ofruar dëshmi se posedonin tokë e traktorë siç kërkohej me kritere, ndërsa komisioni i vlerësimit përdori kritere që nuk ishin në thirrjen publike.

“Ne testimi i tre aplikuesve fitues për thirrjen publike për subvencionimin e fermerëve me Makina Bujqësore ku totali i subvencionimit sipas kësaj thirrje ishte 31,377 €, asnjëri nga këta aplikues nuk kishte ofruar dëshmi për posedim të traktorit siç kërkohej me kritere. Po ashtu kemi vërejtur se komisioni i vlerësimit në formularin e poentimit ka përdorë kritere të cilat nuk kanë qenë të përfshira në Thirrjen Publike. Si pasojë, janë fituar pikë dhe janë vlerësuar përfituesit, si: kategoritë e familjeve me jetimë, familjet e dëshmorëve, martirëve, veteranëve; familjet me distancë të largët; familjet me anëtarë të papunë; dhe familjet me numër të fëmijëve të caktuar. ”, thuhet në gjetjen e Auditorit.

Më tej raporti evidenton se në subvencionimin e fermerëve me kredi bujqësore, ku totali i subvencionimit ishte 22,964 euro, gjatë testimit të aplikacioneve të dy përfituesve, njëri nga aplikuesit nuk kishte përmbushur kriteret për dokumentet e nevojshme, pasi që i mungonte lista poseduese e tokës dhe vërtetimi i tatimit në pronë.

Sipas raportit, kjo kishte ndodhur për si pasojë e mos respektimit të kritereve të shpalljes  publike nga ana e anëtarëve të komisionit vlerësues, ndërsa dëmton transparencën dhe shfaqë dyshime në tërë procesin, pasi që janë eliminuar nga procesi aplikues potencial, derisa janë shpërblyer fermer jo-meritor kundrejt kritereve në thirrje.

Kryetarit të Komunës, iu rekomandua të sigurohet se vendosen kritere të qarta për subvencionimi dhe ato të respektohen nga komisioni vlerësues.

“Kryetari duhet të sigurojë se Thirrjet Publike për subvencionimin të fermerëve të përmbajnë kritere të qarta të cilat plotësohen me dokumentet e kërkuara, dhe se Komisionet e Vlerësimit të vlerësojnë aplikacionet në përputhje të plotë me kriteret e shpallura në Thirrje Publike” , rekomandohet kryetari i komunës.

Se çfarë kërkohej me thirrjen publike?, Auditori në raport tregon se për subvencionimin e fermerëve me makina bujqësore kërkohej që përfituesit të jenë banorë të Komunës së Mitrovicës; të kenë sipërfaqe të mjaftueshme të tokës; të ketë planifikuar mbjelljen e së paku 2ha [hektarë] e më tepër me kultura lavërtare dhe perimekulturë; të posedojë traktor me fuqi më të madhe se 28kw; përparësi kanë fermerët të cilët nuk kanë përfituar nga Drejtoria e Bujqësisë në dy vitet e fundit; dhe përfituesit duhet të jenë të gatshëm të participojnë me 30 për qind.

Derisa thirrja publike për subvencionimin e fermerëve për kredi bujqësore përcaktonte se dokumentet e nevojshme për aplikim, midis tjerash janë edhe: lista poseduese e tokës dhe vërtetimi i tatimit në pronë.

Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 28 prill 2022 nga kreu i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës Mitrovicë e Jugut për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.