Foto: ZKA

Komuna e Mitrovicës së Jugut s'i pagoi me kohë pesë fatura në vlerë mbi 100 mijë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se pesë fatura në vlerë të përgjithshme prej 102,149 euro nuk ishin paguar brenda afatit kohor ligjor prej tridhjetë ditësh nga Komuna e Mitrovicës së Jugut.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak të funksionimit jo të mirë të kontrolleve të brendshme si dhe buxhetit të pamjaftueshëm. Si pasojë e kësaj, siç tërheq vërejtjen ZKA-ja, komuna mund të përballet edhe me padi.

“Vonesat në kryerjen e obligimeve mund t’i shkaktojnë kosto shtesë komunës për shkak se ajo mund të përballet me padi ku përveç vlerës së faturës duhet t’i paguajë kostot shtesë përfshirë kamatën, interesin dhe shpenzimet gjyqësore”- thuhet në raportin e ZKA-së për Komunën e Mitrovicës së Jugut për vitin 2023.

Për këtë, Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka bërë thirrje kryetarit të kësaj komune që të përmirësojë menaxhimin e fondeve për të siguruar që obligimet financiare të kryhen në kohë dhe brenda afatit prej 30 ditëve, duke përfshirë hartimin e një analize të hollësishme buxhetore për të shmangur vonesat në pagesat e faturave.

Me këtë gjetje të ZKA-së është pajtuar Komuna e Mitrovicës së Jugut.

Komuna e Mitrovicës ka marrë opinion të pamodifikuar nga ZKA. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Në raportin e vitit 2023, kjo komunë ka marrë nëntë rekomandime. Prej tyre: tri rekomandime të reja, katër të përsëritura dhe dy pjesërisht të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili parashihet të publikohet në qershor të vitit 2025.

Ndërsa në raportin për këtë komunë në vitin 2022 ishin dhënë gjithsej 11 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar, dy kanë qenë në proces të zbatimit dhe katër nuk janë zbatuar ende.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Mitrovicës së Jugut mund ta gjeni në këtë LINK.