Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Komuna e Mitrovicës së Jugut ndan 300 bursa për studentë

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka publikuar listën e përfituesve të bursave të studentëve, për vitin akademik 2024/2025.

Në njoftimin e publikuar, më 18.02.2025, janë publikuar emrat e 300 studentëve përfitues, 70 më shumë se në vitin akademik 2023/2024.

Në vitin akademik paraprak, 2023/2024, Komuna e Mitrovicës së Jugut kishte ndarë 230 bursa për studentë, me të cilët i kishte nënshkruar Kontratat, më 04.06.2024.

Se në këtë vit akademik do të ndaheshin më shumë bursa e kishte thënë edhe i pari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.

“Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë. Jam i bindur, investimi më i mirë, më i drejtë, është investimi në kapacitete njerëzore. Jam shumë i lumtur që sot jemi në një ceremoni për nënshkrimin e Kontratave për bursat 2023/2024. Në vitin 2025 e keni premtim publik se do të jetë propozimi me 280 bursa. Ju jeni pasuria e madhe e vendit.” – kishte thënë Hamza, në qershor 2024.

Ndryshe, më 2021 Komuna e Mitrovicës së Jugut ka shpërndarë 50 bursa. Më 2022 i ka ndarë 75 bursa, 180 bursa më 2023 dhe 230 bursa më 2024.