Mitrovica e Jugut, Foto: KALLXO.com/ 2024
Komuna e Mitrovicës së Jugut largon nga sheshi shitësit ilegalë
Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka larguar nga hapësirat publike shitësit ambulantivë dhe pronarët e lojërave.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Inspekcionit në këtë komunë, Valon Brahimi.
Brahimi ka bërë të ditur se më 06.08.2024, i ka njoftuar të gjitha subjektet afariste, shitësit ambulantë dhe personat fizik për lirimin e hapësirave publike.
“Kemi marrë veprime procedurale duke i njoftuar subjektet afariste, shitësit ambulantë dhe personat fizik se vendosja pa leje e kiosqeve, frigoriferëve, aparate box-a, lodra, stendave, mbishkrimet, tabelat, panot, baneret, billboardet dhe tabelat reklamuese (elektronike dhe fizike), paisjet-aparatet pёr përgatitjen e ushqimeve të shpejta, grillat pёr pjekjen e misrit-shtalbave, auto-lodra, gjeneratorë statik, karrigeve dhe tavolinave dhe të ngjashme ёshtё nё kundёrshtim me Rregullores Komunale Nr. 01/2023 për Shfrytëzimin e Përkohshme tё Sipërfaqeve dhe Hapësirave Publike dhe aktet tjera normative”- shtoi ai.
Të hënën, më 12.08.2024 ekipi i KALLXO.com ishte në sheshin e Mitrovicës dhe pa që shitësit nuk ishin të pranishëm në hapësirat publike të sheshit.
I pyetur se nëse nga këta persona nuk do të këtë respektimi të masave, drejtori Brahimi ka thënë se si drejtori do të ndërmarrin “të gjitha masat e nevojshme.”
“Drejtoria e Inspekcionit do tё ndërmarrë tё gjitha veprimet dhe masat e nevojshme ndaj subjekteve tё cilёt nuk respektojnë urdhëresën e pёrfshirё nё njoftim”- deklaroi Brahimi për KALLXO.com.