Komuna e Mitrovicës, paralajmëron bllokime në rrugën Vushtrri – Mitrovicë – Bajgorë

Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se në kuadër të ndërtimit të parkut të erës në fshatin Bajgorë të Mitrovicës, të mërkurën më 20 tetor, planifikohen lëvizje të mjeteve transportuese në aksin rrugor drejt kësaj zone. Sipas njoftimit, lëvizje të mjeteve transportuese në aksin rrugë Vushtrri- Mitrovicë- Bajgorë do të jenë ndërmjet orës 6 të mëngjesit dhe 10:30.

“Gjatë kohës së shënuar mund të ketë ndalesa apo kufizime tjera në komunikacion. I gjithë ekipi i angazhuar bëjnë përpjekje të vazhdueshme që koha dhe kufizimet të jenë sa më të pakta. Mjetet transportuese janë lehtë të identifikueshme dhe janë nën përcjelljen e automjeteve të sigurisë. Ju lutem që t’i respektoni rregullat paralajmëruese”, thuhet në njoftim.

Komuna ka lutur qytetarët që për shkak të këtyre punimeve dhe ngarkesës që mund të shkaktohet në komunikacion të planifikojnë me kohë udhëtimet e tyre.

“Për shkak se mund të ketë vonesa në komunikacion, ju lutem të keni parasysh që udhëtimet tuaja t’i planifikoni me kohë. Gjithashtu keni vëmendjen që gjatë kësaj kohe të keni kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në komunikacion, ndërsa informoni dhe kërkoni që edhe anëtarët tjerë të familjes, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit, të janë të kujdesshëm”, bënë të ditur Komuna e Mitrovicës.