Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

ZKA: Komuna e Mitrovicës nuk përfshin të gjithë pasurinë e komunës në procesin e inventarizimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në komisionin për inventarizimin e pasurisë të themeluar nga Komuna e Mitrovicës, është hartuar një raport ku janë përfshirë pasuritë me vlerë nën 1 mijë euro të drejtorive komunale dhe disa institucioneve komunale, por jo edhe ato të shkollave dhe institucioneve shëndetësore.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur si pasojë e mos zbatimit të plotë të kërkesave të rregullores për menaxhimin e pasurive dhe mungesë të kontrolleve të brendshme.

“Mospërfshirja e të gjitha pasurive në procesin e inventarizimit i pamundëson zyrtarit të pasurive krahasimin e regjistrave të pasurive me raportin e inventarizimit dhe për pasojë mund të sjellë deri te mungesa e korigjimeve eventuale të regjistrave”- thuhet në raport.

Për këtë Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka bërë rekomanduar kryetarit të kësaj komune të sigurojë që komisionet e caktuara për inventarizim të përfshijnë të gjithë pasurinë e komunës.

Me këtë gjetje të ZKA-së është pajtuar Komuna e Mitrovicës.

Komuna e Mitrovicës ka marrë opinion të pamodifikuar nga ZKA. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Në raportin e vitit 2023, kjo komunë ka marrë nëntë rekomandime, prej tyre tri rekomandime të reja, katër të përsëritura, dhe dy pjesërisht të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.

Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë komunë në vitin 2022 ishin gjithsej 11 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar, dy në proces të zbatimit dhe katër nuk janë zbatuar ende.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Mitrovicës së Jugut mund ta gjeni në këtë LINK.