Komuna e Mitrovicës mbyll “ETC”-në, një punëtore rezultoi e infektuar me COVID-19

Sonte është konfirmuar rasti i parë me COVID-19 në Mitrovicën Jugore.

Sipas kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, e infektuara është një 27 vjeçare, e cila është punëtore në supermarketin “ETC”.

“ Edhe pas gjithë përpjekjeve që kemi bërë për marrjen e masave mbrojtëse nga koronavirusi COVID-19 dhe kujdesit të treguar për të cilin ju falënderoj përzemërsisht, sonte është konfirmuar rastin i parë pozitiv nga Mitrovica “, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Ai ka treguar se gjendja e të infektuares është e mirë, ndërsa po trajtohet sipas protokolleve mjekësore të parapara në ShSKUK.

Bahtiri ka bërë të ditur se pas konsultimit me anëtarët e Shtabit Emergjent kanë marrë vendim për mbylljen e përkohshme të “ETC”-së, ndërsa gjithë punëtorët e kësaj qendre tregtare dhe personat që kanë pasur kontakt me të infektuaren do të testohen nga IKShP-ja.

“ Edhe pse ky nuk është një lajm i mirë, ne nuk kemi nevojë për panik, sepse jemi komuna shembull për menaxhim të pandemisë së koronavirusit COVID-19 “, thuhet tutje në postim.