Komuna e Mitrovicës Jugore miraton propozimet për këmbimin dhe dhënien në shfrytëzim të disa pronave

Kuvendi komunal i Mitrovicës së Jugut gjatë mbledhjes së mbajtur sot ka miratuar propozim vendimin me anë të secilit një pronë e kësaj komune është këmbyer me pronë të paluajtshme, e dy të tjera do të jepen në shfrytëzim për afat të gjatë.

Asamblistët e Mitrovicës kanë miratuar propozim-vendimin me të cilin do të bëhet këmbimi i pronës së paluajtshme të komunës me pronën e paluajtshme të personit fizik, Arben Tmava.

Ky propozim ishte aprovuar edhe në mbledhjen e mbajtur nga komiteti për Politikë dhe Financa ndërsa gjatë mbledhjes së sotme u miratua ky propozim.

Ndërsa sipas të dhënave në web faqen e komunës propozimi për inicimin e këmbimit të paluajtshmërisë u propozua, me qëllim të hapjes së një rruge në Shipol të Mitrovicës, rrugës e cila ekziston në teren e që ka qasje direkte në pronat komunale.

Po ashtu asambleja komunale e Mitrovicës ka aprovuar edhe dy propozime me anë të të cilave do të jepen në shfrytëzim prona të paluajtshme komunale.

Në mënyrë unanime kuvendi miratoi propozimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme komunale të vendi i quajtur Përzhinë – Lumi Ibër, KF “Trepça”, pa procedura konkurrimit.

Nënkryetari i komunës Faruk Mujka ka thënë se shfrytëzimi i stadiumit tani është nën menaxhim të ministrisë andaj e kanë parë të arsyeshme që kjo pronë e komunës t’i jepet në shfrytëzim KF Trepça.

Shfrytëzimi i kësaj pronë nga ky klub i futbollit do të bëhet për 20 vjet pa kompensim – qira.

Po ashtu sipas të dhënave në ueb faqen e komunës qëllimi i propozimit për dhënie në shfrytëzim të kësaj pronë është ndërtimi i kompleksit sportiv për Akademi të futbollit dhe fushës ndihmëse për zhvillimin e veprimtarive sportive dhe avancimin e talenteve të rinj në interes të sportit Mitrovicas.

Gjatë mbledhjes së sotme po ashtu komuna ka aprovuar edhe vendimin për dhënie të pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim për Organizatat e Shoqërisë Civile me procedura konkurrimi.

Po ashtu janë miratuar edhe tre propozime tjera për këmbim të pronës së paluajtshme të komunës.

“Propozim-vendimi për miratim të vendimit për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik Agron Sadiku, propozim-vendimi për miratim të vendimit për këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik Selim Haxha, propozim-vendimi për miratim të vendimit për këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik Besarta Isufi‘’, janë propozimet e miratuara.

Në mbledhjen e sotme ishte paraparë që të miratohet edhe propozimi për këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës me pronën e paluajtshme në pronës të personit juridik Arsi Compani SH.P.K., mirëpo për këtë propozim në fillim të mbledhjes drejtori i drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër, Hysen Muzliukaj ka thënë se është tërhequr nga kjo pikë e rendit të ditës, pasi sipas tij personi juridik nuk është ndjerë i sigurt për shkak të disa pretendimeve mbi pronësinë, raporton Kallxo.com.