Komuna e Mitrovicës i punësoi 62 persona pa procedura të rekrutimit, Auditori gjeti se të njëjtit nuk u paguan

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Mitrovicës së Jugut kishte angazhuar 62 punonjës në arsim me kontrata të përkohshme dhe pa procedura të rekrutimit. Përveç kësaj ata edhe nuk u kompensuan për punën e bërë.

“Komuna, respektivisht Departamenti Komunal i Arsimit (DKA) gjatë vitit 2021 kishte angazhuar 62 punonjës me kontrata të përkohshme pasi që konkurset për pranimin e tyre kishin dështuar. Kemi testuar (5) kontrata të tilla, të cilat ishin nënshkruar kryesisht në muajin tetor dhe nëntor 2021. Këta punonjës ashtu siç është sqaruar edhe në PFV kanë mbetur jashtë listës së pagave dhe nuk janë kompensuar për punën e kryer. Po ashtu, obligimet financiare ndaj tyre nuk janë raportuar në PFV si obligime të papaguara”, thuhet gjetjen e Auditorit.

Raporti bën të ditur se kjo kishte ndodhur për shkak të dështimit të procedurave të rekrutimit dhe me arsyetimin se vendet e punës duhet të plotësoheshin në mënyrë që mësimi nëpër shkolla të vazhdojë me rregull. Derisa mosparaqitja e obligimeve për pagat e punëtorëve ka ndodhur si pasojë e mungesës së informatave nga departamenti i financave.

Angazhimi i punonjësve me kontrata të përkohshme dhe pa procedura paraprake të rekrutimit, sipas auditorit mund të ndikojë që të përzgjidhen kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret dhe njëherësh dëmton transparencën që do të ndikojë në cilësinë joadekuate në mësimdhënie.

Ndërsa për mosraportimin e obligimeve për punonjësit e angazhuar nga Auditori thuhet se ndikon në cilësinë dhe saktësinë e informatave të shpalosura në PFV [Pasqyrat Financiare Vjetore].

Auditori në raport përmend bazën ligjore që rregullon punësimin në sektorin publik dhe sipas nenit 8 të ligjit të punës Nr.03/L-212, punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës.

Kryetarit të komunës ju rekomandua që të sigurohet që pozitat e lira të plotësohen me konkurs publik dhe punonjësit të përfshihen në listën e pagave.

“Kryetari duhet të sigurojë se pozitat e lira të punës plotësohen nëpërmjet procedurave të rregullta të rekrutimit përmes konkursit publik dhe punonjësit të përfshihen në listën e pagave. Po ashtu në rast se Komunës i mbeten obligime të papaguara ndaj punëtorëve, ato obligime duhet të raportohen në PFV”, rekomandon raporti.

Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 28 prill 2022 nga kreu i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës Mitrovicë e Jugut për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.