Topografi nga Mitrovica e Veriut. 09.06.15, Mitrovica. Photo: Atdhe Mulla

Komuna e Mitrovicës cakton oraret e punës të bizneseve për periudhën dimërore

Drejtoria për Inspeksion e Komunës së Mitrovicës së Jugut ka paralajmëruar të gjitha bizneset të cilat afarojnë në territorin e komunës se nga data 20 tetor do të fillojë mbikëqyrjen e zbatimit të rregullores nr.03/2014 që ka të bëjë me respektimin e orarit të punës.

Komuna thotë se bizneset që operojnë në Mitrovicë janë të obliguara të zbatojnë rregulloren nr.03/2014 dhe vendimin e datës 26 shkurt 2018 te kryetarit Agim Bahtiri.

Për periudha dimërore, e cila  fillon më 1.11.2019 deri më 31.03.2019, për dyqanet tregtare orari i punës fillon nga ora 08:00 dhe zgjat deri në 21:00, ndërsa te dielave deri në ora 11:00. Ditëve festive nuk punohet.

Bizneset e tregtisë me shumicë do të punojnë nga ora 07:00 deri në ora 17:00, e  të dielave dhe ditëve festive nuk punojnë.

Bizneset që merren me veprimtari hoteliere do të punojnë nga ora 07:00 deri në ora 23:00.

Kurse, bizneset me veprimtari zejtare punojnë nga ora 07:00 deri në 19:00, të dielave dhe ditëve festive nuk punojnë përveç salloneve të zbukurimit dhe kozmetikës

Kurse, bizneset me veprimtari shërbyese do të punojnë nga ora 08:00 deri në 17:00. Autolarjet dhe autoparkingjet punojnë edhe të dielave.

Ndaj bizneseve  të cilat nuk respektojnë këto rregulla do të merren masa ndëshkuese deri në ndalimin e zhvillimit të bizneseve.