Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Komuna e Mitrovicës anulon disa konkurse me arsyetimin se është fushatë zgjedhore

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se ka anuluar disa konkurse për pozita të ndryshme të shpallura gjatë muajit korrik dhe gusht me arsyetimin e situatës me pandeminë COVID-19 dhe kohës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që priten të mbahen me 17 tetor.

Në arsyetimin e anulimit të konkurseve thuhet se aplikimi i më shumë se 600 personave në këto konkurse mund të rrezikoj shëndetin publik.

“Zhvillimi i procedurave të rekrutimit sipas procedurave ligjore siç janë mbajtja e testit, për një numër kaq të madh të aplikuesve e, jo që nuk garanton por rrezikon seriozisht shëndetin publik kur kemi parasysh faktin që kemi rreth 600 aplikues në të gjithaq konkurset si në atë të shëndetësisë primare, arsimit dhe në administratë komunale”, vazhdon njoftimi.

Komuna e udhëhequr nga Agim Bahtiri ka bërë të ditur se periudha kohore e njëjtë në mes zhvillimit të procedurave të konkurseve dhe fushatës zgjedhore mund të krijoj pakënaqësi.

“Zhvillimi i procedurave të rekrutimit siç janë mbajtja e testeve dhe intervistave në kohë kur jemi në prag të fushatës zgjedhore për mbajtjen e zgjedhjeve… mund të krijoj me të  drejtë pakënaqësi qytetare e me theks të veçantë të atyre që kanë aplikuar për punësim”, thuhet në arsyetim.

Në njoftimin për anulim të konkurseve theksohet se kjo është bërë pasi që procedurat janë ende në fazë fillestare dhe  nuk është themeluar asnjë komision i cili është përgjegjës për zhvillimin e procedurave të rekrutimit.

Komuna e Mitrovicës në muajin korrik kishe hapur konkurs për disa pozita të lira në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

 

Ndërkaq është janë anuluar edhe disa konkurse për pozita të mësimdhënëseve dhe edukatoreve në Mitrovicë.

Konkursi tjetër që është anuluar është ai për dy roje pylli si dhe konkursi për pozitën, “zyrtar për bashkëpunim profesional”.