Abdylhadi Krasniç. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Komuna e Mamushës me para publike shtroi me kubëza oborrin e një shtëpie
I ftuar në serinë e debateve “Jeta në Komunë” kryetari Mamushës, Abdylhadi Krasniç, ka thënë se nuk kishte dhënë premtime të mëdha, “se e kemi ditë kaçikun sa e kemi”.
Ai tha se premtimet e tij kishin të bënin me ujin e pijshëm, arsimin, shëndetësinë dhe pastërtinë.
Raporti i Auditorit për vitin financiar për vitin 2019 për Komunën e Mamushës ka gjetur se në një kontratë me vlerë prej 46 mijë euro për riparimi i rrugëve, shtruarja e kubëzave është realizuar në prona private, dhe se Komuna ka shtruar kubëza brenda oborreve të shtëpive.
Gjithashtu, Raporti i Auditorit ka gjetur mangësi në financimin e OJQ-ve, punësime pa kritere, dhe se pasuria e blerë në vlerë për 12 mijë euro nuk është evidentuar.
Lidhur me këto gjetje të Auditorit kryetari Abdylhadi Krasniç ka treguar se Komuna e Mamushës ka filluar për herë të parë që Raportin e Auditorit ta shpalosë dhe ta diskutojë në Asamblenë Komunale.
Kurse për gjetjet e Raportit të Auditorit për shtrimin e oborreve me kubëza, kryetari Krasniç ka thënë se kjo është problem i pronave dhe ndarjes së tyre, dhe sipas tij kur është bërë ndarja e pronave, është krijuar rrugë e re e cila është shtruar nga Komuna me kubëza.
Në përballje me Jeta Xharrën në serinë e debateve “Jeta në Komunë”, kryetari i Mamushës është përballur me premtimet e tij të dhëna para se të votohej për kryetar Komune, kurse i njëjti ka dhënë llogari për premtimet e mbajtura dhe ato të parealizuara deri më sot.