
Komuna e Mamushes. Mamushe. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla
Komuna e Mamushës dy vite pa shërbime të auditimit të brendshëm
Komuna e Mamushës qe dy vite nuk i është nënshtrua auditimit të brendshëm, ndonëse kërkesat në Ministrinë e Financave për këto shërbime thuhet se ishin bërë nga komuna.
“Komuna gjatë vitit 2021 nuk ishte audituar edhe pse e ka dërguar një kërkesë në MF me dt. 05.10.2021 për nevojat e shërbimit të auditimit të brendshëm. Lidhur me këtë komuna edhe për vitin 2020 kishte bërë kërkesë, mirëpo nuk kishte arritur të siguronte raport të auditimit të brendshëm.”, thuhet në gjetjen e raportit.
Sipas auditorit, kjo kishte ndodhur për shkak se nuk janë bërë përpjekje për themelimin e një njësi të përbashkët, apo marrëveshjes për sigurimin e shërbimit të auditimit nga një subjekt i sektorit publik apo kontraktimit të një kompanie profesionale sipas kritereve te vendosura, miratimit/ aprovimit paraprak të Ministrisë së Financave.
Tutje raporti thotë se mungesa e raporteve të auditimit të brendshëm shpie në përsëritjen e vazhdueshme të dobësive në sistemet kryesore të kontrollit të brendshëm dhe menaxhmenti mund të mos jetë në gjendje të identifikojë dobësitë e kontrollit dhe të përgjigjet në kohën e duhur për t’i eliminuar ato.
Kryetarit të komunës ju rekomandua që të siguroj shërbimet e auditimit.
“Kryetari duhet të sigurojë shërbimin e auditimit të brendshëm, që synon shtimin e vlerës dhe përmirësimin e funksionimit të Komunës, që ndihmon në përmbushjen e objektivave, duke ofruar qasje sistematike, të disiplinuar, për të vlerësuar dhe përmirësuar efektshmërinë e proceseve të menaxhimit të rrezikut, kontrollit dhe qeverisjes.”
Çka thotë baza ligjore së cilës i referohet auditori?
Sipas Ligji nr. 06 / L-021 për Kontrollin e brendshëm të financave publike dhe Rregulloren e QRK-së nr. 01/2019 për krijimin dhe zbatimin e funksionit të auditimit të brendshëm në subjektin e sektorit publik, nenet 4 dhe 5 përcaktojnë funksionin dhe mënyrën e themelimit të NJAB-së. Bazuar në nenin 5 “ Subjekti i sektorit publik i cili ka buxhet më pak se tre (3.000.000€) milionë euro, funksionin e auditimit të brendshëm ta ushtron përmes mënyrave tjera sipas nën paragrafëve 1.2, 1.3. dhe 1,4 të nenit 4 të kësaj Rregulloreje. (themelimin e një njësi të përbashkët, apo marrëveshjes për sigurimin e shërbimit të auditimit nga një subjekt i sektorit publik apo kontraktimit të një kompanie profesionale sipas kritereve te vendosura, me miratimin/ aprovimin paraprak të MF).
Nga Komuna e Mamushës janë pajtuar me gjetjen e raportit.
Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 7 qershor 2022 nga kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulahid Krasniç konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të ta Komunës së Mamushës për vitin 2021”.