Komuna e Malishevës: Vdes një person në QKUK, ishte i infektuar edhe me COVID-19

Komuna e Malishevës ka njoftuar se një person ka vdekur sot në QKUK dhe se ishte i prekur edhe me COVID-19.

Sipas njoftimit në Facebook, thuhet se familja e të vdekurit nuk kishte qenë në dijeni se ai ishte i prekur me sëmundjen e COVID-19.

“Sonte një person ka vdekur në QKUK nga Komuna e Malishevës, i cili paraprakisht kishte qenë i shtrirë në repartin e neurologjisë, ndërsa pasi ka ndërruar jetë, sipas familjarëve në fletë lëshimin e spitalit thuhet se ka qenë i prekur me COVID-19, përderisa i njëjti më herët nuk ka qenë i evidentuar në listën e të prekurve, madje as familja e tij nuk ka qenë e njoftuar deri pas vdekjes”, thuhet në njoftim.

“Organet komunale janë njoftuar për rastin, pasi i është kërkuar mbikëqyrja e varrimit, nga ana e inspektorëve komunal, e po ashtu edhe familjarët kanë sqaruar se për këtë janë njoftuar vetëm pas vdekjes së familjarit të tyre, i cili ka qenë i shtrirë në neurologji dhe jo në klinikë infektive”, thuhet tutje në njoftim.

“Personi i vdekur, me inicialet S.T. është i lindur më 1953 nga fshati Banjë i Komunës së Malishevës”, thuhet në fund të njoftimit.

Vetëm në 24 orët e fundit, në Kosovë janë konfirmuar 122 raste të reja me COVID-19.