Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Malishevës thotë se ende nuk i është alokuar buxheti për investime kapitale

Komuna e Malishevës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ende nuk ia ka alokuar buxhetin për investime kapitale për këtë vit.

“Të nderuara medie, të nderuar qytetarë të Komunës së Malishevës, përmes kësaj komunikate, dëshirojmë të ju informojmë se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, as tani kur jemi në mes të muajit të gjashtë të vitit, komunës sonë, nuk ja ka alokuar buxhetin për investime kapitale për këtë vit”, është bërë e ditur në njoftim.

Sipas njoftimit, mosalokimi i buxhetit, do të sjellë probleme serioze për komunën e Malishevës, pasi do të ketë vështirësi të mëdha në realizimin e planifikimeve për investime kapitale për këtë vit.

“Sepse sipas Komunës së Malishevës, pa alokim të buxhetit, nuk mund të zhvillohet asnjë procedurë për realizimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Ata e kanë konsideruar këtë veprim të papërgjegjshëm nga ana e ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Ne e konsiderojmë veprim të papërgjegjshëm të ministrisë përkatëse dhe ministrit Hekuran Murati, pasi nuk ka kuptim që lënda e buxhetit të një komune, të qëndroj me muaj të tërë në “shqyrtim” dhe të mos derdhen mjetet për investime kapitale”, thuhet në njoftimin e komunës.

“Kërkojmë nga kryeministri i vendit, z.Kurti, që të merr veprime të menjëhershme për zhbllokimin e kësaj situate të krijuar nga ana e kësaj ministrie dhe ministrit Murati, dhe mjetet për investime të alokohen për Komunën e Malishevës. Nëse kjo situatë vazhdon edhe për disa ditë, atëherë, është e pamundur të realizohen projektet, dhe ne e konsiderojmë veprim me prapavijë nga ana e ministrisë, pasi përmes këtij veprimi, po tentohet që qëllimshëm të ndodh kjo gjë, dhe mjetet e ndara për komunën tonë të shkojnë në suficit”, thuhet më tej.

Komuna thotë se mosrealizimi i projekteve, që bëhet fjalë për rreth tre milionë euro, do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik në Malishevë.

“Edhe ashtu, shumë projekte nga niveli qendrorë për Malishevën, janë ndalur dhe disa tjera në realizim e sipër, gjithashtu janë ndalur, e tani është e pamundur që edhe projektet komunale të realizohen, pasi MFPT ende nuk po alokon buxhetin për investime kapitale për Komunën e Malishevës”, thuhet në reagim.

Komuna e Malishevës tutje ka sqaruar se ka dorëzuar lëndën më 13 prill 2021 për bartjen e  mjeteve nga kategoria e rezervës në projekte kapitale.

“Gjatë kësaj periudhe, Komuna e Malishevës disa herë e ka kontaktuar zyrën e ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, por në asnjë rast ministri Murati, nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, dhe përgjigjja e vetme, që tash e kohë të gjatë na jepet nga kabineti ministrit, është kjo: “lënda është duke u shqyrtuar”!”, thuhet në reagimin e Komunës së Malishevës.

Sipas tyre, ministri Murati, asnjëherë nuk ka shprehur gatishmërinë që ta sqarojë situatën e krijuar, dhe as Ministria e Financave asnjëherë nuk është përgjigjur me shkrim, pavarësisht e-maileve që drejtoria i ka dërguar ministrisë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Financave dhe është duke pritur përgjigje.