Komuna e Malishevës pezullon të gjitha vendimet dhe pëlqimet për operimin e gurthyesve
Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime, në mesin e të cilave është edhe ai për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurthyesve në territorin e komunës së Malishevës.
Po ashtu, në këtë vendim, Kuvendi Komunal ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të marrin masa për revitalizimin e hapësirave të degraduara nga gurëthyesit, si dhe në të ardhmen, pëlqimet dhe vendimet në kërkesat e operatorëve për këtë veprimtari t’i lëshojë Kuvendi i Komunës.
Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të peticioneve të fshatrave Bellanicë, Turjakë dhe Panorc, lidhur me përgatitjet për operim të gurthyesve në afërsi të fshatrave.
Siç njofton Komuna e Malishevës në një komunikatë, Kuvendi Komunal ka miratuar rekomandimet e mbledhjes së fundit të jashtëzakonshme e mbajtur në muajin dhjetor të vitit të kaluar, si dhe ka marrë disa vendime tjera dhe ka shqyrtuar disa raporte të komisioneve të ndryshme.
Në mesin e këtyre vendimeve janë dhe Plani i Punës së Kuvendit, për vitin 2020, si dhe me disa rekomandime e ka miratuar edhe Rregulloren për Transparencë në Komunën e Malishevës.