Asfalti i dëmtuar nga shiu FOTO-Komuna e Malishevës

Komuna e Malishevës ia lë fajin natyrës për dëmtimin e rrugës Rud- Sferkë 

Komuna Malishevë përmes një reagimi për media ka thënë se rruga e prishur nuk është në territorin e Malishevës, por të Klinës dhe se është prishur nga natyra.

Sipas një sqarimi të Komunës së Malishevës, kjo rrugë është ndërtuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe se njoftimin e mëhershëm për dëmtim të rrugës Rud- Sferkë e kanë bërë për të ulur rrezikshmërinë për kalimtarët.

“Rruga që lidhë fshatin Rud me fshatin Sferkë, është ndërtuar nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa pjesa e dëmtuar e rrugës, është në territorin e Klinës. Komuna e Malishevës, e ka dhënë njoftimin për qytetarë që të mos kalojnë në atë pjesë për shkak të rrezikshmërinë”, thuhet në reagimin e komunës së Malishevës.

Reshjet e fundit të shiut dhe borës të cilat kanë përfshirë vendin patën pasoja të vërejtshme edhe në dëmtimin e rrugëve, veçanërisht rrugës e cila lidh fshtrat Rud të Malishevës dhe Sferkë të Klinës ku asfalti është bërë copë copë.

Fotografitë e dëmtimit të kësaj rruge fillimisht u publikuan nga Komuna e Malishevës, e cila më pas e fshiu postimin.

Nga kush dhe kur u ndërtua rruga që u copëtua nga shiu?