Komuna e Malishevës: 393 raste të thumbimit me rriqna

Komuna e Malishevës ka reaguar pas disa lajmeve se në këtë komunë janë thumbuar 811 persona nga rriqrat.

Sipas komunës janë 329 raste të thumbuara dhe jo 811.

“Shtabi Komunal për luftimin dhe parandalimin e EHKK, sqaron opinion se lajmi i dhënë në disa medie se në Komunën e Malishevës janë thumbuar 811 persona nga rriqrat, nuk qëndron dhe besojmë që pa dashur është keqkuptuar njoftimi i IKSHP-së, lidhur me gjendjen nga thumbimi i rriqrave në vend”, thuhet në njoftimin e komunës.

“Ju bëjmë me dije, se në Komunën e Malishevës, nuk janë 811 raste të thumbuar nga rriqrat, por janë 336 raste, prej tyre 329 raste janë nga Komuna e Malishevës dhe 7 raste nga komunat tjera që kanë kërkuar trajtim në QKMF të Malishevës”, është thënë më tej.

Tutje është thënë se në zonat e cilësuara si zona endemike, është duke u bërë dezinsektimi kundër rriqrave, të cilët janë bartës së virusit të etheve hemorragjike krime kongo (EHKK) dhe sipas komunës, ky proces është duke shkuar shumë mirë.

“ Problem mbetet procesi i repelimit të kafshëve (obligim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës), pasi repelimi ndikon drejtpërdrejtë në ndërprerjen e ciklit të rriqrat dhe parandalon bartjen e rriqrave nga fusha në shtëpi, apo nga kafshët shtëpiake tek njeriu”, thuhet në njoftimin e komunës.

“Numri i të thumbuarve nga rriqrat është përafërsisht i njëjtë me vitin paraprak, pasi siç e thashë më lartë, nuk është bërë repelimi as vitin e kaluar dhe as këtë vit. Momentalisht asnjë person nuk është i prekur me EHKK dhe ky është viti i shtatë me radhë që nuk kemi raste të vdekjeve dhe viti i gjashtë që nuk kemi raste të infektimit me EHKK në Komunën e Malishevës”, përfundon njoftimi.