Komuna e Leposaviqit negocioi kontratën rreth 32 mijë euro për t’u mbrojtur nga COVID-19

Komuna e Leposaviqit bëri të ditur se nënshkroi kontratë në vlerë prej 31 mijë e 970 euro për t`u pajisur me mjete mbrojtëse të higjienës si maska mbrojtëse, dezinfektues dhe pajisje tjera. Kontrata është nënshkruar në javën e kaluar.

Për këtë qëllim, kjo komunë e banuar kryesisht nga komuniteti serb ka parashikuar mjete në vlerë prej 32 mijë euro. Mjetet për këtë aktivitet të prokurimit janë ndarë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.

Komuna ka ndjekur procedurën e negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë me kritere çmimin më të ulët.

Nga negocimi i këtij tenderi, komuna shpërbleu me kontratë kompaninë “NERAMED”.

Pandemia e coronavirusit CoVid-19, në Kosovë u përhap kah mesi i muajit mars. Të dhënat e fundit tregojnë se deri më tash në Kosova janë prekur 387 persona, kur nga ky virus janë shëruar 66 ndërsa 9 mbetën të vdekur.

Në mbarë botën kjo pandemi ka prekur jo më pak se mbi 1.9 milionë qytetarë duke lënë të vdekur mbi 125 mijë viktima.