Kryeministri Avdullah Hoti dhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore, 21 gusht 2020, Foto: Qeveria e Kosovës

Komuna e LDK-së kundër masave të qeverisë Hoti

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli nuk i ka mirëpritur masat e reja të ndërmarrja nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, këto masa do ta dëmtojnë rëndë jetën publike, institucionale e sidomos atë ekonomike.

Sipas tij, kufizimi i gastronomisë, nuk do të bëjë asgjë tjetër, përveç se kufizim të gjendjes ekonomike të punëtorëve.

Tutje ai thotë se këto masa nuk do të mund ta ruajnë shëndetin e qytetarëve.

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që t’i mbyllë qendrat tregtare dhe lokalet e gastronomisë nga ora 21:00 deri në ora 05:00.

Lexoni njoftimin e plotë të nënkryetarit Arbër Ismajli:

Të dashur qytetarë,

Masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë së Republikës, po e dëmtojnë rëndë jetën publike, institucionale dhe veçanërisht atë ekonomike. Kufizimi i punës për gastronomët nuk është asgjë tjetër, përveçse, kufizim i gjendjës ekonomike të punëtorëve, por edhe vetë ekzistencës së këtyre bizneseve.

Këto masa nuk mund ta ruajnë shëndetin e qytetarëve. Qytetarët janë shumë të bindur t’i kontribuojnë këtij procesi duke respektuar masat primare, por jo edhe duke ia vështirësuar jetën që edhe ashtu e kanë të mbushur përplot mllef nga gjendja e rënduar ekonomike. Të reflektojmë bashkërisht përpara se të reflektojë ndonjë revoltë qytetare.

#bashkeiadalim