Komuna e Kllokotit pa shtab emergjent për parandalimin e coronavirusit

Zëvendës-kryesuesi për Komuitete në Kllokot, Hidajet Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se në Komunën e Kllokotit nuk ka shtab emergjent, anipse një situatë emergjente është përhapur në Kosovë pas konfimimit zyrtar për pesë rastet me virusin corona.

“Po është e vërtetë, s’ka shtab emergjent”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka treguar se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kllokot punëtorët shëndetësor shumica janë serb dhe shërbimet aty kryhen vetëm për pjesën serbe të Komunës.

“Shërben por jo për komunitetin shqiptar me të thënë të drejtën. Shumica e shërbimeve mjekësore që kryhen, kryhen në komunën e Vitisë, prej shqiptarëve e kam fjalën. Pjesa serbe, një pjesë shkon në Viti e pjesa tjetër te QMF në Kllokot”, ka shtuar Ahmeti.

Ahmeti ka përmendur edhe funksionimin e sistemit paralel të shëndetësisë në Kosovë.

“Me të thënë të drejtën nuk kemi shtab emergjent dhe ju po e dini si funksionojmë, sidomos shëndetësia me sistem paralel”, ka përfunduar ai.

Në dy ditët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me coronavirus, tri raste nga Vitia, komunë e cila është në kufi me komunën e Kllokotit, një rast në Malishevë dhe një rast tjetër në Klinë.

Shkon në 5 numri i të infektuarve, konfirmohen edhe dy raste me coronavirus