Komuna e Kamenicës nënshkruan marrëveshje për “KIKA HILLS”

Komuna e Kamenicës sot ka nënshkruar marrëveshje për projektin turistik “KIKA HILLS”.

Sipas kryetarit të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ky projekt do të ketë vlerën mbi gjashtë milionë euro dhe do të ketë së paku 70 të punësuar ku nga ta do të jenë 30 për qind gra dhe 5 për qind persona me nevoja të veçanta.

“Sot nënshkruam projektin më të madh turistik që nga paslufta “KIKA HILLS” që do të ketë vlerën mbi gjashtë milionë euro, do të jetë një nga qendrat rekreative jo vetëm në regjionin tonë, por edhe në Kosovë e më gjerë. Kjo është një nga projektet më atraktive e inovative të turizmit e cila do të gjenerojë edhe vende të reja të punës, e që më së paku do të ketë 70 të punësuar, ku kemi kërkuar që 30% prej tyre të jenë gra dhe 5% persona me nevoja të veçanta. Për zhvillimin e një komune projekte të tilla janë më se të nevojshme, dhe për këtë falënderoj përfaqësuesin e “KIKA HILLS” Drilon Qehajen me bashkëpunëtorë, drejtoreshën për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Majlinda Krasniqin, komisionin dhe gjithë akterët për punën e palodhshme gjatë kësaj periudhe”, ka shkruar Kastrati në Facebook.