Komuna e Kamenicës i lë në terr banorët e 10-të hyrjeve banesore

Pilot projekti për “Administrimin e hyrjeve banesore”, i ka lënë në terr banorët e 10 hyrjeve banesore në Komunën e Kamenicës.

Qytetarët e pakënaqur me zvarritjet në këtë iniciativë të Komunës kanë raportuar në KALLXO.com se tash e disa ditë hyrjet banesore janë pa ndriçim.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Kamenicës për të marrë më shumë informacione se pse ka ndodhur ky problem.

Zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti ka thënë se ky pilot-projekt ka vlerë 50,000 euro dhe është ndarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për Komunën e Kamenicës.

Ndërsa sipas saj për të përfunduar punimet janë duke pritur ndarjen e fondeve nga Ministria e Mjedisit.

“Dy hyrje janë afër përfundimit dhe të tjerat janë ende në proces e sipër, për shkak të përfundimit të vitit fiskal 2019 ne jemi duke pritur aprovimin nga Ministria që projekti të mund të vazhdojë. Në momentin që merret aprovimi nga MMPH, puna vazhdon dhe pritet që për një periudhë diku 45 ditore të bëhet përfundimi i të gjitha intervenimeve në hyrjet përkatëse”, tha ajo.

 

Tutje ajo ka sqaruar se projekti në fjalë parasheh suvatimin, ndërrimin e dyerve të hyrjes dhe vendosjen e sistemit digjital, vendosjen e parmakëve (Gilinderat), ndërrimin e xhamave të dëmtuar si dhe ndriçimin.

Ndërsa kontrata me punëkryesin është lidhur më 22 nëntor të vitit të kaluar.

Nga ky projekt i Komunës së Kamenicës është paraparë që të rregullohen 10 hyrje banesore, ku sipas Komunës për secilën hyrje do të investohen 5,000 mijë euro.