Komuna e Istogut

Komuna e Istogut punësoi 22 zyrtarë pa procedura të prokurimit

Komuna e Istogut gjatë vitit 2021 kishte të angazhuar 22 zyrtarë me kontrata mbi vepër por pa procedurë të prokurimit siç kërkohet me ligj. Kjo gjetje është evidentuar në raportin e auditimit e hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për Komunën e Istogut.

Këta zyrtarë ishin angazhuar për pozitat si: zyrtar për tatim në pronë, zyrtar për siguri të Teknologjisë Informative, zjarrfikës, Inspektor i komunikacionit rrugorë, doktor i mjekësisë veterinare, etj.

Në një rast të angazhimit me kontratë mbi vepër në vitin 2021 për pozitën zyrtar për subvencione, ishin zbatuar procedurat e rekrutimit sipas Ligjit të shërbimit civil dhe jo sipas nenit 84 të Ligjit për Zyrtarët Publik.

Sipas menaxhmentit, arsyeja përse nuk i kanë zhvilluar procedurat e prokurimit, ishte se këta zyrtar ishin të angazhuar edhe më parë, ku janë zhvilluar procedura të thjeshtuara të rekrutimit.

Neni 84 i Ligjit për Zyrtarët Publik e përcakton se “Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, moszbatimi i kritereve të përcaktuara ligjore për angazhimin e personave me marrëveshje për shërbime të veçanta, mund të cenojë parimin e konkurrencës, transparencës si dhe mund të ndikoj në diskriminimin e të tjerëve.

“Kryetari duhet të siguroj se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat e prokurimit në angazhimin e kontraktorëve individual për shërbime të veçanta, duke u kujdesur që personeli i angazhuar do të jetë për pozita jo të rregullta”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së për kryetarin e Istogut.

Në raportin e auditimit për Komunën e Istogut thuhet se udhëheqja e komunës është pajtuar me këtë gjetje.