Foto: Ilustrim

Komuna e Istogut me sistem elektronik për bujqësi, tenderohen 35 mijë euro për platformën 'e-Bujku'

Për një pasqyrim më të saktë të zhvillimeve në bujqësi, Komuna e Istogut, ka nisur procedurat tenderuese me qëllim të blerjes së një platforme elektronike për bujqësi.

Nëpërmjet tenderit me titull “Platforma e-Bujku (blerja e softwerit)”, ka parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 35 mijë euro, me kohëzgjatje të kontratës dy muaj.

E hapur, është lloji i procedurës së përdorur për këtë aktivitet të prokurimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Në këtë tender, komuna tregon edhe qëllimin për blerjen e këtij sistemi.

“Qëllimi i këtij sistemi, është që komuna e Istogut të nis procedurat dhe të kontraktojë një operator apo kompani e cila do të evidentojë të gjitha temat, fushat, treguesit dhe përcaktojë rrugën përmes së cilës komuna e Istogut do të sigurojë të dhënat e nevojshme për pasqyrimin e sistemit elektronik bujqësor.”, thuhet në dosjen e tenderit të komunës

Më tej përmendet se përmes pasqyrimit të saktë të zhvillimeve bujqësore dhe ekonomike, do të ndikohet edhe në orientimin e shpenzimeve strategjike dhe të investimeve në komunë.

Nga kërkesat e përgjithshme, kërkohet që: zhvillimi i moduleve të bëhet në të tri gjuhet zyrtare, modulet te paraqiten në faqen kryesore (Home), mundësia e importimit të të dhënave në bazën e shënimeve nga format aktuale, moduli i fermerit, thirrjet vjetore, bletaria, planet për mbjelljet sezonale, evidenca e sipërfaqeve te ujitura, menaxhimi i projekteve kapitale, ndërrimi i destinimit  te tokave bujqësore, moduli i sistemit elektronik të menaxhimit të dokumenteve bujqësore, përgatitja e manualit për shfrytëzimin e aplikacionit dhe web portali bujqësor publik

Data 5 tetor 2022, është caktuar nga Komuna e Istogut edhe afati deri kur mund të paraqesin ofertat, kompanitë e interesuar ta kryejnë këtë furnizim.