Komuna e Hanit të Elezit në vitin e kaluar hargjoi mbi 10 mijë euro për dreka zyrtare

Komuna e Hanit të Elezit e cila ka rreth 10 mijë banorë, ka një buxhet të limituar dhe jo të lartë, në krahasim me komunat e tjera.

Në kartelën analitike të Komunës së Hanit të Elezit e cila është e publikuar në ueb-faqe, tregohen të gjitha hargjimet që janë kryer gjatë vitit të kaluar nga ana e zyrtarëve të komunës.

Gjithsej sipas kartelës, për dreka zyrtare vetëm për vitin 2019, Komuna e Hanit të Elezit ka hargjuar 10 mijë e 138 euro e 50 cent.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e komunës të dijë se sa kanë hargjuar vetëm ekzekutivi i komunës, por të njëjtit na kanë orientuar të bazohemi në kartelën analitike të komunës.

KALLXO.com në bazë të kartelës analitike ka arritur të dalë në përfundim se vetëm për karburante janë harxhuar rreth 15 mijë euro.

Gjithashtu sipas raportit vjetor të Komunës së Hanit të Elezit të publikuar në ueb faqen zyrtare të komunave thuhet se në vitin 2018, janë harxhuar 15 mijë e 593 euro për karburante, ndërsa për këtë vit KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje se sa janë harxhuar gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu në bazë të kartelës, del se furnizim me pije dhe ushqim për byfenë e komunës, ka kushtuar 18 mijë e 369 euro e 16 cent vetëm vitin e kaluar.

‘Hani i bunareve’, Komuna me ujësjellës e pa ujë