Komuna e Gjilanit u shpërndan pako ushqimore edhe komuniteteve

Komuna e Gjilanit gjatë ditës së sotme ka vazhduar ndarjen e pakove ushqimore për familjet të cilat janë në nevojë.

120 pako ushqimore gjatë ditës së sotme janë shpërndarë edhe për komunitetin rom i cili jeton në Gjilan.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me nënkryetarin e Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili tha se kanë dërguar dy herë pako ushqimore te komunitetet që jetojnë në këtë qytet.

“Është hera e dytë brenda tri javëve që po ndajmë pako ushqimore për komunitetet. Dy herë kemi ndarë nga 120 pako për komunitetin rom ndërsa për komunitetin serb i kemi nda 42 pako ushqimore dhe po presim listën e dytë nga ta të na tregojnë se për sa pako kanë nevojë”, tha Ismajli.

Ismajli tha për KALLXO.com se janë duke pritur lista edhe nga komuniteti turk dhe komunitetet tjera që jetojnë në Gjilan për të parë se edhe sa pako ushqimore duhet të dërgohen.

Në Kosovë, për shkak të përhapjes së coronavirusit bizneset dhe lokalet e restorantet kanë ndaluar së punuari pas vendimeve të Qeverisë.

Për shkak të gjendjes së krijuar, komunat në Kosovë po shpërndajnë pako ushqimore, kryesisht donacione, te familjet që kanë nevojë sidomos në këtë kohë pandemie.