Komuna e Gjilanit u hyn "në hak" disa punëtorëve

Auditori ka gjetur se Komuna e Gjilanit u hyn në ‘hak’ punëtorëve duke i paguar më pak se sa janë dakorduar në kontratën e nënshkruar.

Në raportin e auditorit të vitit 2019 janë përmendur disa raste ku pagat janë dhënë në vlerë më të vogël sesa që ishte kontrata.

Përgjegjësi në sektorin e katalogimit dhe klasifikimit të librit, sipas kontratës duhet të paguhet me koeficient 7, por ai është paguar në bazë të koeficient 6.

Këtij personi, Auditori thotë se ndryshimi i koeficientit në kontratë nga 6 në 7 është bërë më 1 shkurt 2012, por që nga ajo kohë nuk është paguar asnjëherë në bazë të koeficientit 7.

Njëtë ka ndodhur edhe me shefin e Sektori për Planifikim Hapësinor dhe Mbrojtje të Mjedisit, i cili me Akt Emërim duhet të paguhet me koeficient 9. Auditori ka gjetur se i njëjti sipas listës së pagave është paguar me koeficient 7.5.

“Ndryshimi i koeficientit nga 7.5 në 9 në kontratë është bërë më 1 shkurt 2013 por nuk është zbatuar”, thuhet në raportin e Auditorit.

Edhe përgjegjësi në Sektorin Fëmijëve dhe të Rinjve, me Akt Emërim duhet të paguhet me koeficient 7, por sipas listës së pagave, paguhet me koeficient 6.

Auditori tregon se sipas komunës kjo ka ndodhur për shkak të gradimit në vitet e mëhershme dhe ndryshimi apo rritja e koeficienteve është bërë pa u siguruar se Komuna kishte mundësi financiare apo duke mos marr parasysh ndikimin financiar për këto pozita.

“Komuna nuk ka ofruar dëshmi për komunikimet me Thesarin në lidhje me veprimet e ndërmarra për zbatimin e këtij rekomandimi”, thuhet në raport.

Auditori ka njoftuar se pagesa e punonjësve në kundërshtim me akt emërimet/kontratat e punës përveç që është shkelje ligjore, ekspozon komunën ndaj padive gjyqësore që mund shkaktojnë shpenzime shtesë për Komunën.

“Kryetari duhet që të planifikojë buxhet të mjaftueshëm dhe në bashkëpunim me Thesarin të filloj pagesat e pagave sipas kontratave të nënshkruara”, thuhet në raport.