Spitali Regjional i Gjilanit Foto: KALLXO.com

Komuna e Gjilanit: Spitali ka nevojë emergjente për furnizim me oksigjen

Nën udhëheqjen e nënkryetarit Arbër Ismajli, është mbajtur sot mbledhja e Komitetit të Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në këtë takim, nenkryetari Ismajli bëri të ditur se Spitali i Përgjithshëm ka nevojë emergjente të furnizimit me oksigjen, duke shtuar se po bëhet përpjekje maksimale me Ministrinë e Shëndetësisë për ta zgjidhur këtë problem.

Në Gjilan sipas komunikatës janë 2684 qytetarë të rezultuar pozitiv, 2222 të shëruar, 386 raste aktive, 76 të vdekur, të hospitalizuar të konfirmuar me COVID-19 janë 72, ndërkaq mostra në pritje janë 134.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Spitalit, Nisret Hajrullahi, i cili ka deklaruar se furnizimi nga ana e ShSKUK është i pamjaftueshëm.

“Ne jemi duke u furnizuar rregullisht edhe nga një operator nga Kaçaniku sepse furnizimi nga ShSKUK është i pamjaftueshëm për shkak numrit të madh të pacientëve. Për shkak të situatës është e pamjaftueshme që të hapim kontrata dhe administrata po kujdeset për këto çështje”, ka deklaruar Hajrullahi.

Aktualisht në Spitalin e Gjilanit janë 6 pacientë në CPAP, në respirator nuk ka, ndërsa në oksigjeno-terapi janë 57 pacientë.