Gjilani

Komuna e Gjilanit kundër masave të propozuara nga ministri Vitia

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, në takimin virtual me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kundërshtuar kategorikisht mbylljen totale si masë e frenimit të pandemisë COVID-19.

Sipas njoftimit të kësaj Komune, Ismajli ka thënë se Qeveria duhet të bëjë një balancë ndërmjet shtrëngimit të masave dhe dëmit sa më të vogël në ekonominë e vendit.

“Si komunë, jemi kategorikisht kundër mbylljes totale. Kjo përkrahje na erdhi edhe nga shumë komuna tjera. Të mendosh për mbyllje totale, është t’ia shkaktosh vetës një greminë të thellë, nga e cila edhe ashtu kemi çaluar, ku nuk kemi për tu ngritur lehtë”, ka thënë Ismajli.

“Gjithashtu, në mbrëmjen e kaluar, sjelljet e AVUK-ut dhe Policisë së Kosovës, ishin irrituese duke u shkaktuar gjoba të papërballueshme bizneseve vendore”, ka alarmuar nënkryetari i Gjilanit.

Më tej thuhet se Ismajli tha se pandemia nuk ndalet duke ia vështirësuar gjendjen ekonomike bizneseve, e rrjedhimisht, edhe familjeve të cilat mbahen nga to.

“Ky veprim nga ana e tyre, është shumë i dëmshëm, dhe vetëm sa e keqëson gjendjen ekonomike, në një raport të drejtë bashkë me pandeminë. Duhet t’i ndajmë gjërat bashkë dhe ta nxjerrim më të mirën nga një gjendje e rënduar pandemike”, ka shtuar ai.

Dje KALLXO.com raportoi se nga data 6 prill e deri me datën 18 prill pritet që të ketë mbyllje totale të gastronomisë dhe qendrave tregtare.