Foto: Komuna e Gjilanit

Komuna e Gjilanit interesohet për investimet në Kalanë e Pogragjës

Kryetari i Komunës së Gjilanit ka takuar sot përfaqësues nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, Fakulteti i Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Qendra e Trashëgimisë Kulturore, zyrtarë komunalë e përfaqësues nga fshati Pogragjë.

Komuna e Gjilanit, përmes një njoftimimi për media ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi janë diskutuar mundësitë për të shtuar investimet dhe atraktivitetin turistik në Kalanë e Pogragjës.

Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit, kryetari Hyseni ka potencuar faktin se Rajoni i Anamoravës është një nga vendet mjaft të pasura me monumente të trashëgimisë dhe vlera historiko- kulturore.

“Kalaja e Pogragjës, si një nga luginat më të rëndësishme e pa hulumtuar gjer në fund, do të duhej të ishte pikë e rëndësishme për vizitorë e turistë. Diskutuam rreth investimeve në qasjen e saj, rrugën e shtegun për ecje, ndërtimin e kinemasë së hapur afër saj e shumë atraksione tjera të cilat do t’ia shtonin atraktivitetin turistik kalasë, e turizmin Gjilanit”, citon njoftimi, të ketë thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.