Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Komuna e Gjilanit i quan "të pavërteta" deklaratat e ish-shefit të Urgjencës të QKMF-së

Drejtoria për Shëndetësi e Komunës së Gjilanit ka reaguar ndaj deklaratës së ish-shefit të Urgjencës të QKMF-së në Gjilan.

Leotrim Kurteshi, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të Urgjencës, ka pretenduar se mospërgjigjja e një mjeku në thirrjen e një pacienti që kërkoi ndihmë ka rezultuar me vdeken e pacientit.

Ai ka thënë se drejtori i QKMF-së dhe Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës nuk kanë reaguar.

Nga Komuna e Gjilanit thonë se Kurteshi u shkarkua nga detyra për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe menaxhimit jo të mirëfilltë.

Deklaratat e Kurteshit, kjo Komunë i konsideron “të pavërteta e të paqëndrueshme”.

Për ngjarjet e përmendura nga Kurteshi, Komuna thotë se morën informacione nga ai dhe menjëherë u mbajt një mbledhje e Këshillit Drejtues të QKMF-së për të trajtuar pretendimet.

“Për më tepër, menaxhmenti i QKMF-së, ka kontaktuar me familjarët e pacientit të ndjerë të apostrofuar në deklaratë, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë ankesë dhe as nuk do të paraqesin ndonjë ankesë dhe se çdo tendencë për të përdorur rastin e familjarit të tyre për çfarëdo lloj qëllimi – është e prapranueshme” – thuhet mes tjerash në reagim.

Komuna thotë se sipas ekipit përgjegjës mjekësor, rasti nuk ka qenë urgjent por pacient me gjendje terminale, i diagnostikuar me kancer, e që sipas tyre i është dhënë ndihma mjekësore.

“Për të gjitha këto ekzistojnë prova, dokumente, raporte, shkresa e komunikime në formë të shkruar, prandaj aspak nuk qëndrojnë pretendimet e paraqitura për të ashtuquajturën “heshtje” të udhëheqësve të institucionit apo neglizhencë të trajtimit mjeksor” – thuhet tutje në reagim.

Gjilan, dyshohet se mjeku i Urgjencës nuk iu përgjigj thirrjes së pacientit, i cili më pas vdiq, shefi i Urgjencës jep dorëheqje