Gjilani

Komuna e Gjilanit, i keqklasifikoi mbi 176 mijë euro në kategori të gabuara

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka gjetur se Komuna e Gjilanit për vitin 2019 i kishte klasifikuar keq shpenzimet në kategori ekonomike.

Sipas raportit të auditorit, komuna kishte kryer pagesa nga kategoritë e gabuara në vlerë 176,912 euro.

“Nga kategoria e investimeve kapitale janë paguar 3,000 euro që i takojnë kategorisë mallrave dhe shërbimeve, ato kanë të bëjnë me dhënien e shpërblimit për një konkurs projektues. Vlera 160,630 euro është paguar për shpenzime të varrimit nga kategoria mallra dhe shërbime e në fakt i takojnë kategorisë së subvencioneve. Pagesat për paga për punonjës të arsimit ishin paguar përmes vendimeve gjyqësore nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve në vlerë 10,315 euro dhe në një rast për sindikatën e Policisë, ishin dhënë mjete për përkrahjen e një aktiviteti sportiv, në vlerë 2,967 euro nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve e do duhej të ishin nga kategoria e subvencioneve”, thuhet në raport.

Auditori tregon se nuk ka marrë ndonjë sqarim nga ana e zyrtarëve komunal, në lidhje me këto keqklasifikime.

Sipas Auditorit  pagesat e bëra nga kategoria joadekuate, shpien në paraqitjen e shënimeve të gabuara në Pasqyrat Financiare të Komunës, ku të dhënat për kategori të shpenzimeve nuk janë të sakta dhe si të tilla japin informata çorientuese për shfrytëzuesit e PFV-e.

“Kryetari i duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit apo të bëhet ridestinim të mjeteve dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve bëhet sipas kodeve ekonomike adekuate”, thuhet në raport.

Në këtë raport auditori kishte opinion të pamodifikuar.

Sipas opinionit të Audotorit, Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik (SNKSP), sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme.