Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Komuna e Gjilanit i bie pishman, u thotë qytetarëve të dalin sa të duan

Komuna e Gjilanit i ka rënë pishman thirrjes që u ka bërë qytetarëve gjilanas që të shmangin daljet në qytet teksa kanë ardhur mërgimtarët.

Kjo Komunë, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se thirrja e sotme ka qenë citim nga mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Ata tash u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin por të kenë kujdes dhe të respektojnë masat në fuqi.

“A keni dalë sot a jo? Sa për sqarim, informata e sotme ka qenë citim nga mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në frymën e asaj që të kemi më shumë kujdes për veten dhe sidomos për mërgimtarët, duke ditur kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për ne dhe meqë, përveç tjerash, rreziku nga pandemia nuk ka kaluar. Përndryshe, dilni sa të doni. Natyrisht, duke respektuar masat në fuqi”, thuhet në njoftimin e komunë së Gjilanit.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi(KKSB) i Komunës së Gjilanit u ka bërë thirrje publike qytetarëve të kësaj komune që gjatë periudhës sa gjenden mërgimtarët të shmangin daljet e panevojshme nëpër hapësirat në mënyrë që mërgimtarëve t’u jepet hapësirë që të shijojnë pushimet në vendlindje.

“Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, ndërkohë që ka kërkuar nga qytetarët rezident që të përmbahen nga daljet pa nevojë në qytet, gjatë kohës derisa janë këtu mërgimtarët, për t`iu lënë më shumë hapësirë e mundësi atyre që t`i shijojnë pushimet në vendlindja’’, thuhet në njoftimin e Komunës.

Gjilanasve u bëhet thirrje t`i shmangin daljet e panevojshme që t`iu lihet më shumë hapësirë mërgimtarëve