Komuna e Gjilanit gjobit LDK-në dhe LVV-në me nga 2 mijë euro

Komuna e Gjilanit gjobit LDK-në dhe LVV-në me nga 2 mijë euro

Që nga fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit e deri më sot, Komuna e Gjilanit ka shqiptuar vetëm dy gjoba për partitë që nuk kanë respektuar masat anti-COVID.

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Gjilanit, Nevzad Rushiti, ka thënë për KALLXO.com se LDK dhe LVV janë gjobitur me nga 2 mijë euro.

Të dy gjobat janë shqiptuar gjatë kësaj jave për tubimin që LDK e ka mbajtur në një restorant në Gjilan ndërsa LVV në Sallën e Kulturës në fshatin Përlepnicë.

Rushiti ka thënë se nuk ka gjoba të shqiptuara për partitë e tjera për thyerje të masave anti-COVID.

Deri dje sipas masave anti-COVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës, në vende të mbyllura kanë pasur të drejtë të grumbullohen deri në 30 persona ndërsa në ambiente të hapura deri në 50 persona.

Ndërsa dje Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për lehtësimin e masave anti-COVID.

Sipas vendimit të ri të Qeverisë në detyrë në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 50 persona, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 80 persona me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

“Të gjitha tubimet publike të organizuara në hapësira publike të të gjitha formave, ndalohen në jo më shumë se 80 persona, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 21 të vendimit që Qeverisë që ka hyrë në fuqi që nga dita e djeshme.

Sonte përmbyllet fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen këtë të diel ndërsa nesër është heshtje zgjedhore.