Foto: Komuna e Gjilanit

Komuna e Gjilanit: Ekonomia e Gjilanit ka humbur rreth 800 vende të punës në kohë pandemie

Komuna e Gjilanit ka përgatitur raportin e detajuar të dëmeve të shkaktuara në sektorin e ekonomisë gjatë përiudhës së përballjes me pandeminë globale COVID-19.

Sipas drejtoreshës për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, pandemia ka ndikuar në humbjen e 788 vendeve të punës.

Tahiri ka thënë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në mars të këtij viti, për kufizimin lëvizjes së qytetarëve, ndërprerjen e procesit mësimor në shkolla dhe universitete, ndërprerjen e pjesës dërmuese të aktiviteteve të bizneseve përfshirë mbylljen e plotë të disa prej tyre, kanë bërë që të ketë një stagnim në zhvillimin ekonomik edhe në Komunën e Gjilanit.

“Pandemia ka ndikuar në humbjen e 788 vendeve të punës. Kemi një rënie prej 23% të numrit të gjithëmbarshëm të punëtorëve tek kompanitë e anketuara, kryesisht bizneset e mëdha dhe të mesme. E njejta situatë është deklaruar edhe nga bizneset e vogla. 46% e bizneseve kanë deklaruar rënie të nivelit të shitjes prej 90-100% dhe vetëm 1% e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se niveli i shitjes ka qenë i njejtë”, ka theksuar ajo.

Tahiri ka njoftuar se 69% të bizneseve pjesëmarrëse në hulumtim zhvillojnë afarizëm në qytet, 27% në fshatra dhe 4% prej tyre kanë degë të tyre jashtë territorit të Komunës.

Bizneset e anketuara sipas llojit jane  42 % biznese individuale, 38 % shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, 19 % fermerë ndërsa 1 % shoqëri aksionare. Veprimtaritë biznesore që i janë përgjigjur hulumtimit janë: sektori i shërbimeve me 31%, tregti dhe biznese bujqësore me 19% , bizneset prodhuese me 13% , hoteliere 8%, transportuese 4%, ndërtimore 3%, shëndetësore 2% dhe edukativo-arsimore me 1%.

Tutje, në elaborimin e saj, drejtoresha Tahiri ka thënë se shumica dërmuese e bizneseve apo 80% kanë deklaruar se pandemia ka ndikuar në rënien e kërkesës për shërbime/produkte dhe vetëm 2% e biznese kanë deklaruar ndikim të ulët. 66% të bizneseve kanë shënuar mungesë të likuiditet, ndërsa 48% kanë deklaruar për pengesa në furnizime gjatë pandemisë.

“Hulumtimi gjenë se pandemia rrezikon më së shumti bizneset e vogla. Vetëm 8% e bizneseve mendojnë se mund të përballojnë situatën e pandemisë. 84% e bizneseve kanë deklaruar se nuk mund ta përballojnë situatën me pandemi dhe periudha maksimale që biznesi mund të operoj me rezutat pozitiv ose pa humbje është 3 deri 6 muaj, ndërsa 16% mund të oprojnë prej 3 deri 12 muaj. Shpresëdhënëse është fakti se vetëm 50% e bizneseve nuk do të pushojnë punëtorët nga puna”, ka potencuar ajo gjatë prezantimit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në fjalën ka thënë se shëndeti i ekonomisë në Gjilan është prioritet i lartë.

“Ekonomia private është njëra nga fokuset që ne kemi hulumtuar dhe sot kemi këto gjetje që tregojnë realitetin jo të mirë dhe i frikshëm dhe nëse nuk ndërhyhet me masa për ta parandaluar rritjen e dëmeve në sektorin e ekonomisë, bujqësisë dhe ndërmarrjet publike. 25 për  qind zhdëmtim në bujqësi është jashtzakonisht pak, sepse aty punon një familje e tërë. Ratifikimi i marrëveshjeve financiare, rishikimi i buxhetit në leximin e dytë dhe hapave që Komuna do t’i ndërmarr janë masa që ndikojnë në rehabilitimin dhe ruajtjen e shëndetit ekonomik”, ka thënë kryetari në fjalën e tij.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka thënë se kanë vizituar të gjithë bujqit që merren me kultivimin e bimëve në serra dhe dëmi total i tyre është mbi 130 mijë euro vetëm në atë sektor, ndërsa zhdëmtimi prej 25 për qind është një vlerë shumë e ulët që edhe mund ta shkatërrojë tërësisht këtë fushë bujqësore.