Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Komuna e Gjilanit anulon thirrjen ‘problematike’ për subvencionimin e OJQ-ve

Komuna e Gjilanit ka anuluar sot thirrjen për subvencionimin e OJQ-ve dhe individëve, që ishte shpallur më 12 shkurt, e që u zhvillua me shumë kritika për komisionin vlerësues të kësaj thirrje.

Në bazë të vendimit të drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë është thënë se është anuluar e gjithë procedura dhe lista preliminare e përfituesve.

“Anulohet e gjithë procedura dhe lista preliminare e përfituesve që është nxjerrë në uebfaqe të komunës me datë 22.03.2022”, thuhet në vendim.

Tutje është bërë e ditur se thirrja për subvencionim do të rishpallet dhe do të formohet komisioni i ri vlerësues.

Vendimi është marrë sot.

Ditëve të fundit ky konkurs është përfolur për konflikt të mundshëm të interesit mes anëtarëve të Komisionit Vlerësues dhe organizatave përfituese.

Pas kësaj, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni kishte shkarkuar komisionin vlerësues dhe këta të fundit mbajtën dje konferencë për media,.

Anëtari i këtij komisioni, Burim Demiri tha dje se si Komision kanë respektuar rregulloret për vlerësimin e organizatave dhe kanë bërë vlerësim profesional.

Lista preliminare e organizatave përfituese ishte bërë publike më 23 mars 2022.