Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Komuna e Gjakovës publikon të dhënat personale të përfituesve të subvencioneve në shëndetësi

Komuna e Gjakovës ka shkelur privatësinë e qytetarëve me publikimin e numrave personal të tyre në një listë të përfituesve të subvencioneve në shëndetësi.

KALLXO.com ka kontaktuar me Agjencinë për Informim dhe Privatësi në lidhje më këtë publikim dhe të njëjtit kanë vërtetuar dyshimet.

AIP në një përgjigje thotë se publikimi i këtyre të dhënave ka cenuar privatësinë e qytetarëve karshi tendencës për transparencë komunale.

“Mënyra e publikimit dhe lloji i të dhënave personale të publikuara brenda kësaj liste, më shumë i kontribuon cenimit potencial të privatësisë së individit sesa që i kontribuon transparencës së institucionit publik. Për të mbajtur të qëndrueshëm qëllimin fillestar, për të cilin është bërë ky përpunim i të dhënave përmes publikimit, Komuna e Gjakovës është dashur të publikojë emrin dhe mbiemrin e përfituesve të subvencioneve, por në asnjë mënyrë edhe numrat personal të tyre. Përmes publikimit të identitetit të përfituesve nuk do të bëhej asnjë shkelje sepse publiku ka të drejtë të jetë i njoftuar se si janë shpenzuar fondet publike dhe kush ka përfituar prej tyre. Këtë e parasheh nënparagrafi 3.1 i nenit 17 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike”, thuhet në përgjigjen e AIP.

AIP thotë se publikimi i numrit personal të individit ka potencial të madh të keqpërdorimit dhe shkeljes së privatësisë së individit.

Sipas AIP një e dhënë e këtillë personale duhet të jetë e mbrojtur me masa adekuate të sigurisë nga cilido kontrollues i të dhënave dhe do të mund të bëhej publike vetëm pasi të merrej pëlqimi paraprak i subjektit të të dhënave personale (në këtë rast të përfituesit të subvencionit), nëse vërtetë konsiderohet si i domosdoshëm publikimi i një të dhëne të tillë.

Kjo Agjenci ka thënë për KALLXO.com se sot do të kontaktojë Komunën e Gjakovës në mënyrë që të përmirësohet ky lëshim dhe të largohen numrat personal.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi do të kontaktojë që sot zyrtarin për mbrojtjen e të dhënave personale të Komunës së Gjakovës me qëllim të përmirësimit të këtij lëshimi dhe publikimi të bëhet në atë mënyrë që t`i kontribuojë transparencës, por pa e cenuar në asnjë mënyrë privatësinë e individit”, thuhet në përgjigje.

KALLXO.com kishte raportuar se Komuna e Prizrenit në ueb-faqen e saj kishte publikuar të gjitha dokumentet lidhur me legalizimet e objekteve të cilat kanë përmbajtur të dhëna personale të qytetarëve prizrenas, ndërsa të njëjtat i kishte larguar pas interesimit të KALLXO.com.

Pas interesimit të KALLXO.com, Komuna e Prizrenit largon nga web- faqja dokumente që pëmbanin të dhëna personale të qytetarëve