Gjakova
Komuna e Gjakovës nënshkroi kontratë për dezinfektim në vlerë afro 80 mijë euro
Komuna e Gjakovës ka nënshkruar një kontratë për dezinfektim të objekteve dhe hapësirave publike në vlerë prej 80 mijë eurove.
Tenderi “Dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi i hapësirave publike dhe objekteve në Komunën e Gjakovës” ishte iniciuar më 20 maj të vitit të kaluar, kurse kontrata është nënshkruar tek më 21 janar 2020.
Sipas njoftimit, fitues i këtij tenderi është operatori ekonomik “Ekologjia”, kurse vlera e përgjithshme e kontratës është 78 mijë e 760 euro. Për këtë tender kishin aplikuar 5 operatorë.
Ndonëse tenderi ishte hapur vitin e kaluar dhe kontrata është nënshkruar në kohën kur ende nuk ishte konfirmuar ndonjë rast me COVID-19 në Kosovë, Komuna e Gjakovës thotë se kontrata po shfrytëzohet edhe në këtë kohë.
Donika Grezda, zyrtare për infromim në Komunën e Gjakovës, në një përgjigje për KALLXO.com thotë se dezinfektimi i rrugëve në këtë komunë po bëhet në kuadër të kësaj kontrate.
“Dezinfektimi i rrugëve dhe ambientit, po bëhet në kuadër të kontratës për ‘Dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin e hapësirave publike dhe objekteve në Komunën e Gjakovës’. Kurse, pastrimi i rrugëve me klor po bëhet në kuadër të kontratës së rregullt të Komunës së Gjakovës me KRM Çabrati”, thuhet në përgjigjen e Grezdës.
Po ashtu, Grezda ka bërë të ditur se në Komunën e Gjakovës është bërë dezinfektimi i të gjitha institucioneve shëndetësore dhe publike. Kurse, sipas saj, shkollat do të dezinfektohen para rifillimit të procesit mësimor.
Në Komunën e Gjakovës deri më tash janë të konfirmuara tre raste me COVID-19. Kurse në Kosovë sot numri është rritur në 35 të tillë.