Komuna e Gjakovës mbajti mbledhjen e fundit për 2019-ën

 

Gjatë mbledhjes së sotme nga subjekti politik Alternativa, është kërkuar shkarkimi i kryesuesit të kuvendit të komunës, Anton Shala dhe e njëjta çështje të hyjë në rend të ditës.

Arsyetimi i Alternativës për këtë shkarkim ishte se nën udhëheqjen e Anton Shalës, kuvendi i komunës ka humbur kredibilitetin e zhvillimeve normale.

Ky arsyetim është kundërshtuar nga vet kryesuesi, Anton Shala.

“Nuk ka bazë në këto pohime dhe se ky është vetëm shantazh, pasi që të gjitha veprimet dhe vendimet janë ndërmarrë në harmonizim me ligjet”, kishte thënë Shala.

Mirëpo, një kërkesë e tillë nuk është votuar me shumicë votash.

Ndërkaq, Alternativa ishte befasuar me qëndrimet e disa subjekteve tjera politike.

Vetëm dhjetë ditë me herët, me anë të një konference Alternativa ka njoftuar se do ta kërkojë shkarkimin e Shalës.

Alternativa kërkon shkarkimin e kryetarit të asamblesë së Gjakovës

Më pas, Agon Batusha dha dorëheqje nga pozita e këshilltarit komunal dhe i njëjti po përgatitet për betimin si deputet i ri në Kuvendin e Kosovës.

Mbledhja e sotme është përmbyllur me raportin e punës nga Zyra e Prokurimit për periudhën janar-nëntor 2019, ku udhëheqësi i kësaj zyre, Faton Gutaj, tha se plani i punës për hapjen e aktiviteteve është realizuar maksimalisht.

Në anën tjetër, kryetari Ardian Gjini, tha se ky vit do të mbahet në mend, pasi që është arritur mbi tridhjetë milionë euro të tenderohen si vëllim pune, dhe puna e Zyrës së Prokurimit është vlerësuar me transparencën më të lartë buxhetore.