Komuna e Gjakovës huazon pajisje me senzorë në vlerë 49 mijë euro për dezinfektim të duarve

Komuna e Gjakovës ka nënshkruar kontratë në vlerë 49,140 euro për marrje në shfrytëzim të pajisjeve me senzorë për dezinfektimin e duarve me dezinfektues.

Në objektet e 46 shkollave të komunës së Gjakovës, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Drejtorinë e Arsimit dhe në Administratën Komunale do të vendosen 91 spërkatës me senzorë për dezinfektimin e duarve nga grupi i operatorëve ekonomik fitues “Alb Consulting” & “Fresh-C.O”.

Përderisa në të gjitha shkollat do të vendosen nga 1 ose 2 pajisje me senzorë, në QKMF do të vendosen 22 pajisje kurse në administratën komunale do të vendosen 9 të tilla.

Kjo kontratë është nënshkruar më 5 nëntor dhe do të zgjasë 12 muaj.

Përmes tenderit i cili është zhvilluar me procedurë të hapur, Komuna e Gjakovës ka kontraktuar për 1 vit sigurimin dhe montimin e spërkatësit me senzorë për dezinfektimin e duarve, me mbushje permanente të pajisjes me dezinfektues, për shfrytëzim mujor.

Kriter për dhënien e tenderit ka qenë oferta me çmimin më të ulët por grupi i operatorëve ekonomik fitues “Alb Consulting” & “Fresh-C.O” nuk kanë pasur konkurrent pasi kanë qenë të vetmit që kanë dorëzuar ofertë për tenderin e hapur nga Komuna e Gjakovës.

Ky tender është iniciuar nga Komuna e Gjakovës më 11 shtator.