Komuna e Fushë-Kosovës: Lajmi për 3 raste me COVID-19, i pakonfirmuar dhe me konotacion politik

Komuna e Fushë-Kosovës ka reaguar pas publikimit të lajmit të Institutit të Shëndetit Publik se nga kjo komunë janë tre persona të prekur me coronavirus.

Sipas Komunës, ky lajm është informacion i pakonfirmuar dhe për të nuk është në dijeni asnjë nga zyrtarët e Komunës së Fushë-Kosovës.

“Në mbrëmje doli një informacion se në Komunën e Fushë-Kosovës janë 3 raste me COVID-19. Ky është informacion i pakonfirmuar, i dyshimtë dhe i mangët. Është i pa njoftuar Kryetari i Komunës z. Burim Berisha njëherit Kryetar i Shtabit të Emergjencës, i pa njoftuar Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe i pa njoftuar Drejtori i QKMF-së në Fushë-Kosovë dhe si rrjedhojë e gjithë kësaj u shkaktua një shqetësim tek qytetarët”, thuhet në reagim.

Duke i ftuar qytetarët që të mos bëjnë panik, Komuna ka konstatuar që ky lajm është nënçmues për ta.

“Ne informojmë qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës të mos shqetësohen, sepse ka mungesë informatash se kush janë, nga janë këto raste, si ka rrjedhë marrja e këtij virusi prandaj ky publikim është i padenjë dhe nënçmues për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës. Ka konotacione politike”, thuhet tutje në njofim.

Tutje në reagim thuhet se zyrtarët komunalë do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre duke ftuar qytetarët t’i respektojnë masat.

“Të vazhdojmë të bëjmë punën tonë institucionale dhe ju qytetarë të respektoni masat. Mos u shqetësoni për informacionet banale dhe të pakonfirmuara”, thuhet në reagim.

Sot më 30 mars në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar (69) mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, (12) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, 5 prej të cilëve janë me vendbanim në Malishevë. 3 me vendbanim në Fushë Kosovë, 2 me vendbanim në Prishtinë, 1 me vendbanim në Mitrovicë dhe 1 në Kamenicë.