Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Ferizajt punësoi kundërligjshëm 33 punëtorë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Ferizajt ka angazhuar në punë kundërligjshëm 33 punëtorë.

Sipas Auditorit, këta punëtorë janë angazhuar pa ndjekur asnjë procedurë të prokurimit.

Në Ligjin për zyrtarët publik theksohet që marrëveshjet për shërbime të veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik.

“Sipas paragrafit 4 të ndryshim plotësimit të rregullave për prokurim të shërbimeve të veçanta (konsulent/kontraktorët individual) këto rregulla aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit”, theksohet në raportin e auditimit.

Auditori thotë në raport se këto punësime ishin bërë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publik.

Kryesisht këto pozita kanë qenë pozita të rregullta të punës (jo specifike) si për zyrtar zotues, e-pasurinë, për sektorin e kadastrit, etj.

Sipas menaxhmentit kjo ishte pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit.

Sipas Auditorit, anashkalimi i procedurave të prokurimit në lidhje me mbulimin e pozitave për shërbime të veçanta, përveç mosrespektimit të procedurave ligjore po ashtu e rrit edhe rrezikun e angazhimit të personave jo adekuat për pozita dhe detyrat e caktuara, çka mund të reflektojë edhe në performancën e tyre në punë.

“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat e prokurimit në angazhimin e kontraktorëve individual për shërbime të veçanta duke u kujdesur që personeli i angazhuar do të jetë në gjendje të përmbush detyrat e kërkuara. Po ashtu, menaxhmenti duhet të përkujdeset që angazhimet për pozitat e rregullta të zhvillohen përmes procesit të rregullt të rekrutimit”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

KALLXO.com kishte raportuar për dyshimet e nisjes dhe përfundimit të tenderit për angazhimin e 53 punonjësve.

Lidhja dhe shkëputja e dyshimtë e kontratës për punësimin e 53 personave