Komuna e Ferizajt kërkon verifikimin e të ardhurve nga Shqipëria

Komuna e Ferizaj, përmes një njoftimi, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e Ferizajt, që të verifikojnë nëse personat të cilët po i strehojnë nëpër shtëpitë e tyre janë të prekur nga tërmeti.

“Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, apelon tek të gjithë qytetarët vullnetmirë dhe bizneset ferizajase që kanë hapur dyert e shtëpisë për strehimin e bashkëkombësve nga Shqipëria, që të bëjnë verifikimin e të strehuarve, duke u mbështetur në dokumentacionet që lëshohen në kufi, siç është kartoni nga Kryqi i Kuq”, thuhet në njoftim.

Sipas Komunës së Ferizajt, kjo duhet të bëhet pasi që është evidentuar strehimi i banorëve që nuk janë të prekura nga tërmeti, të cilët kanë abuzuar me solidaritetin e strehimin e ofruar nga familjet ferizajase.

“Vullneti i qytetarëve ferizajas, që u shpreh me një solidaritet të pashoq për disa ditë me radhë, arriti që të grumbulloj mijëra pako ushqimore e veshmbathje, si dhe strehim të banorëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar ka vizitur sot zonën e cila është goditur nga tërmeti në Durrës.

Haradinaj ka folur  për personat të cilët janë strehuar në Kosovë.

“Nga Kosova nuk do të kursejmë asgjë që të ndihmojmë, kemi një numër të caktuar të qytetarëve të Shqipërisë që janë në Kosovë, disa janë në shtëpi private, disa janë në një kamp gjerman në Prizren, janë rreth 500 të strehuar aty, do të jemi në gatishmëri edhe më tutje”, ka thënë Haradinaj.

49 të vdekur dhe 900 të lënduar nga tërmeti në Shqipëri