Komuna e Ferizajt dhe "Jetimat e Ballkanit" do të ndërtojnë 15 shtëpi për familjet në nevojë

15 familje ferizajase do të bëhen me shtëpi falë bashkëpunimit të shoqatës ‘Jetimat e Ballkanit” dhe komunës së Ferizajt.

Komuna e Ferizajt dhe ‘Jetimat e Ballkanit’, nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi për të ndërtuar 15 shtëpi për familjet në nevojë në këtë qytet.

“Ju e dini që javë më parë e kishim ne këtu Halil Kastratin dhe ishte një situatë krejtësisht tjetër në kohën kur ishte këtu, por në fakt ishte diçka krejt e zakonshme që të gjendej Halil Kastrati në Ferizaj, sepse kishim qytetarë, kishim familje që ishin në nevojë edhe aty ku ka qytetarë dhe familje në nevojë, gjendet Halil Kastrati dhe atëherë̈ mbështeti shumë familje ferizajase me pako ushqimore dhe higjienike”, është shprehur Aliu në këtë takim.

I pari i Ferizajt, është shprehur falënderues për nënshkrimin e kësaj marrëveshje me ‘Jetimat e Ballkanit’. Aliu tutje është shprehur se pret që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë në ditët në vazhdim.

“Ne do të fillojmë ndërtimin e 10 shtëpive dhe sigurisht që ky është vetëm fillimi me zotëri Halil Kastratin dhe shoqatën, por jam i bindur që javët dhe muajve të ardhshëm ne poashtu jemi dakorduar që këtë bashkëpunim ta thellojmë me qëllim të vetëm se sa më shumë familje në nevojë, familje skamnore të jenë përfitues të kësaj ndihme”, tha tutje ai.

Falënderues për këtë bashkëpunim është shprehur edhe Halil Kastrati ndaj kryetarit të Ferizajt.

Tutje, Halili ka theksuar se në memorandumë janë paraparë që të ndërtohen 10 shtëpi, por shoqata do të ndërtojë edhe pesë të tjera.

“Ne vazhdimisht po bëjmë familje të shumta me shtëpi dhe banesa. Në memorandumin e sotëm janë të parapara që të ndërtohen 10 shtëpi, por ne si shoqatë do të ndërtojmë edhe 5 shtëpi të tjera për qytetarët ferizajas”, është shprehur ai.

Shoqata ‘Jetimat e Ballkanit” edhe më parë ka bashkëpunuar me komunë  e Ferizajt për tu dal në ndihmë qytetarëve ferizajas.