Komuna e Drenasit thotë se do të kompensohen bujqit që pësuan nga breshëri i së shtunës
Komuna e Drenasit ka thënë se do të kompensohen të gjithë bujqit që kanë pësuar dëme nga breshëri i ditës së shtunë. Përmes një njoftimi për media, ekzekutivi komunal tha se të gjithë bujqit e dëmtuar kanë afat deri të premten që të aplikojnë për kompensim.
“Komuna e Drenasit e ka të formuar Komisionin Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe përmes këtij komunikimi, njoftojmë të gjithë të dëmtuarit që kërkesën për vlerësimin e dëmeve të adresojnë në Komunë tek komisioni deri të premten (16.07.2021) në ora 16:00”, thuhet në njoftim.
“Në bazë të kërkesave të cilat do të adresohen nga të dëmtuarit, Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve do të dal në terren për t’i vizituar fermerët dhe ekonomitë familjare që janë dëmtuar dhe pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga breshëri, do të hartohet raporti përfundimtar i cili do të përcjellët në nivelin qendror përkatësisht në Ministrinë e Bujqësisë për mundësinë e kompensimit”, thuhet në fund të njoftimit.
www.kallxo.com