Komuna e Drenasit

Foto: Denis Sllovinja / Kallxo.com

Komuna e Drenasit në tri kontrata nuk hartoi projekte ekzekutuese

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se në tri kontrata, Komuna e Drenasit nuk kishte hartuar projekte ekzekutuese, por kishte iniciuar proceduarat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogarinë.

Sipas Auditorit, asnjë autoriteti kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkangjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit.

Në raportin e auditorit thuhet se shkaku i mungesës së projekteve ekzekutuese sipas zyrtarëve të komunës ishte mungesa e buxhetit për kontraktimin e një OE për hartimin e projekteve ekzekutive.

“Në tre raste për kontratat: Rregullimi i infrastrukturës trotuar dhe ndriçim publik në Komunën e Gllogocit (197,788€), Rehabilitimi dhe rikonstruimi i rrjetit të kanalizimit në Komunën e Gllogocit (144,750€) dhe Asfaltimi i rrugës në fshatrat Gllanasellë-Godancë (124,452€), komuna nuk kishte hartuar projekte ekzekutuese, por kishte iniciuar proceduarat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogarinë”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2021.

Mungesa e projekteve ekzekutuese dhe inicimi i procedurave për projekte kapitale vetëm me paramasë dhe parallogari, sipas auditorit, rritë rrezikun që gjatë procesit të ekzekutimit të projekteve të paraqiten pengesa të ndryshme si në aspektin profesional, ashtu edhe në vonesat e punimeve apo edhe në rritjen e kostove të projekteve.

Auditori ka rekomanduar kryetarin që të sigurojë se për të gjitha aktivitetet e prokurimit që kanë të bëjnë me punë, të mos iniciohen procedurat pa u siguruar specifika të qarta sipas projektit ekzekutues të cilat do të ndikonin në eliminimin e vonesave dhe të kostove shtesë.

ZKA ka sqaruar se neni 20 pika 10 i Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik (UOPP) kërkon që ″Specifikat teknike për kontratën e punës, duhet të përfshijnë një projekt ekzekutues si pjesë substanciale të veten″. Ndërsa pika 13 ″Autoriteti kontraktues është përgjegjës për hartimin e projektit ekzekutues dhe i cili në mënyrë mandatore duhet ti bashkëngjitet specifikave teknike të cilat janë pjesë e dosjes së tenderit″.